Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me programin e financuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimet klimatike në Kosovë”, të zbatuar nga FAO, mbajti sot takimin njëditor “Rishikimi i Përbashkët Vjetor” për sektorin e pylltarisë në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, tashmë tradicional, u diskutua për vlerësimin e progresit vjetor të sektorit të pylltarisë, promovimin e transparencës dhe përcaktimin e orientimeve strategjike për periudhën e ardhshme. Fillimisht u prezantua statusi i zbatimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022–2030 dhe Planit të Veprimit për trevjeçarin e kaluar, si dhe u adresuan sfidat kryesore në drejtim të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve.
Zëvendësministri i MBPZhR-së, Imri Demelezi, gjatë fjalës së tij, theksoi rëndësinë e takimeve të tilla për krijimin e konsensusit mes partnerëve dhe palëve të interesit në përpjekje për të ruajtur dhe shfrytëzuar pyjet në mënyrë të qëndrueshme. Zv. Ministri falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen ndaj sektorit të pylltarisë ndër vite dhe tha që:
“Ne si Qeveri jemi të përkushtuar të vendosim masat direkte dhe indirekte që ndikojnë në mbrojtjen e pyjeve. Si Qeveri i kemi kushtuar vëmendje zgjerimit të sistemeve të ngrohjes nëpër komuna dhe vendbanime të ndryshme, që e ulin kërkesën për prerje ilegale të pyjeve.”

Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, potencoi rëndësinë e mbajtjes së këtyre takimeve që theksojnë të arriturat, identifikojnë sfidat dhe debatojnë për çështjet zhvillimore me palët e interesit dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Viteve të fundit, me mbështetje të programit për menaxhim të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve, kemi arritur të kemi rezultate të prekshme në sektorin pyjor, sidomos në hartimin e politikave, legjislacionit, por edhe me mbështetjen teknike dhe ngritjen e kapaciteteve të sektorit implementues të pylltarisë në Kosovë.”
Menderes Ibra, drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Pyjeve në Agjencinë Pyjore të Kosovës, tha që ky është takimi i katërt i këtij lloji që mbahet në kuadër të mbështetjes nga FAO dhe është mundësi ku diskutohet për të arriturat, por edhe kërkesat dhe sfidat.
“Në këtë drejtim, në emër të Agjencisë Pyjore të Kosovës si njëri nga përfituesit kryesorë të projektit të financuar nga Suedia dhe Bashkimi Evropian, dëshiroj të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për donatorët, të cilët përmes këtij projekti gjatë tërë kësaj periudhe i ofruan një ndihmë të vlefshme sektorit të pylltarisë, përfshirë të gjitha komponentët e planifikuara me programin apo konceptin fillestar të projektit.”

Z. Vadim Stirbu, zyrtar i Programeve në Zyrën e BE-së në Kosovë, vlerësoi arritjet institucionale të sektorit. “Ajo çfarë mbetet të bëhet është hartimi dhe përfundimi i legjislacionit sekondar. Është mirë që e kemi Ligjin, por na duhet edhe legjislacioni sekondar në mënyrë që ligji të zbatohet plotësisht.”

Fatos Mulla, menaxher i projekteve në Ambasadën e Suedisë, përmedi mbështetjen suedeze ndër vite. “Investimet suedeze deri në këtë vit e tejkalojnë vlerën 20 milionë euro vetëm në këtë sektor në Kosovë. Sot, sektori është transformuar; ajo që dikur ishte ndihmë emergjente është shndërruar në bashkëpunim afatgjatë për mbrojtjen e një prej pasurive strategjike më të rëndësishme të vendit.”

Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-s në Kosovë, nënvizoi rezultatet e deritanishme të programit.
“Është hera e katërt që FAO po e mbështet mbajtjen e këtyre takimeve në bashkëpunim me Departamentin e Pylltarisë të Ministrisë. Gjatë këtyre takimeve dhe zbatimit të programit në përgjithësi janë bërë përpjekje të shumta për të stabilizuar, përmirësuar dhe shfrytëzuar resurset pyjore në mënyrë të qëndrueshme dhe të drejtë për përfitim të shoqërisë kosovare dhe për gjeneratat e ardhshme.”

Gjatë Rishikimit të Përbashkët Vjetor u diskutuan edhe çështje që lidhen me zbatimin e Ligjit për Pyjet, gjendjen aktuale të sektorit dhe nevojat prioritare për përmirësim, duke përcaktuar prioritetet për vitet e ardhshme bazuar në të dhënat aktuale dhe standardet ndërkombëtare.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet qeveritare, Agjencia Pyjore e Kosovës, Inspektorati i Pylltarisë, donatorë ndërkombëtarë, sektori privat, shoqëria civile dhe palë të tjera të interesit.


