Agjencia Pyjore e Kosovës

Hapet Kampi Pyjor 2025 me synimin t’i angazhojë të rinjtë në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve

Blinajë, 8 dhjetor 2025 – Kampi Pyjor 2025 filloi sot, me synimin që t’i angazhojë të rinjtë në mësimin rreth njohjes së vlerave dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, ruajtjes së biodiversitetit dhe ndikimit të tyre për Kosovën. Kampi Pyjor sivjet po mbahet në Blinajë me nxënës të shkollave të mesme, mësimdhënës dhe përfaqësues nga […]

Podeli na:

Blinajë, 8 dhjetor 2025 – Kampi Pyjor 2025 filloi sot, me synimin që t’i angazhojë të rinjtë në mësimin rreth njohjes së vlerave dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, ruajtjes së biodiversitetit dhe ndikimit të tyre për Kosovën. Kampi Pyjor sivjet po mbahet në Blinajë me nxënës të shkollave të mesme, mësimdhënës dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe njohës të sektorit të pylltarisë.

Edhe këtë vit, Kampi Pyjor u organizua në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, dhe i zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO.

Gjatë ceremonisë hapëse, përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e aktiviteteve edukative dhe angazhimin e të rinjve në ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve.

Fidan Dema, ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, tha: “Kampi Pyjor është një kanal që afron të rinjtë me natyrën, u tregon vlerat e ekosistemeve dhe i drejton për profesionet dhe mundësitë që ofrojnë pyjet, ekosistemin e biodiversiteti. Për të ruajtur dhe menaxhuar si duhet pyjet tona, Kosovës i duhet dije, përgjegjësi dhe të rinj që e shohin pyllin si potencial dhe jo vetëm si sipërfaqe.” Ai shtoi se APK mbetet e përkushtuar të përkrahë nisma që rrisin edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve.

Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, theksoi rëndësinë kombëtare të pyjeve: “Përgjegjësia jonë është që këto resurse natyrore t’ua lëmë brezave të rinj në gjendje të mirë dhe me potenciale më të mëdha sesa i kemi pasur ne. Qëllimi i këtij kampi është të ngrihet ndërgjegjja dhe përgjegjësia, të sensibilizohen gjeneratat e reja se pyjet duhet të ruhen, të trajtohen mirë dhe të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme – sepse kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.”

Vadim Stirbu nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë theksoi: “Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë aktivitet është se këtu kemi dy nga resurset më të çmuara të Kosovës: ju të rinjtë, që jeni e ardhmja e këtij vendi, dhe pyjet, që mbulojnë 45 për qind të territorit – një vlerë jashtëzakonisht e rëndësishme.”

Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-s, i inkurajoi nxënësit të shohin veten si ambasadorë të pyjeve: “Çdo hap që bëni, çdo pyll që vizitoni dhe çdo fidan që mbillni është investim për të ardhmen tuaj dhe të gjithë Kosovës. E ardhmja e pyjeve është në duart e atyre që sot mësojnë, zbulojnë dhe ëndërrojnë. Vetëm së bashku – shkollat, komuniteti, institucionet dhe mbi të gjitha ju, fëmijët e Kosovës – mund të ndërtojmë një të ardhme ku pyjet rriten, lulëzojnë dhe mbrohen me dashuri dhe përgjegjësi.”

Gjatë Kampit Pyjor 2025, nxënësit e dy shkollave të mesme nga Prishtina dhe Lipjani eksploruan tema të ndryshme lidhur me pyjet dhe biodiversitetin. Sesionet trajtuan tema për rëndësinë e vlerave pyjore, angazhimin e të rinjve, biodiversitetin në pyjet e Kosovës dhe rolin e pyjeve në adresimin e ndryshimeve klimatike.

Ekspertët e fushës udhëhoqën aktivitete interaktive në terren, përmes të cilave nxënësit u njohën me potencialet natyrore të Blinajës, llojet e pyjeve dhe drunjëve që gjenden aty, si dhe mundësitë që ofrohen nga profesioni i pylltarisë. Ata morën pjesë edhe në aktivitete praktike, si shëtitje në pyll, vëzhgimin e faunës së egër, ushtrime kreative dhe diskutime mbi ndryshimet klimatike dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Kampi do të përfundojë nesër me ceremoninë e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.