Janar 2026 – Është përmbyllur me sukses programi pesëvjeçar pyjor, që synonte fuqizimin e
menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve, përmirësimin e jetesës në zonat
rurale dhe adresimin e sfidave të ndryshimeve klimatike.
Programi u financua nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe u zbatua nga Organizata e Kombeve
të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e
Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) dhe Agjencinë Pyjore të Kosovës (APK).
Gjatë pesë viteve të zbatimit, programi ka pasur ndikim të qëndrueshëm në sektorin pyjor dhe
në komunitetet lokale, duke mbështetur hartimin e politikave pyjore afatgjata, forcimin e
legjislacionit pyjor dhe zbatimin e qasjeve inovative, përfshirë planifikimin e menaxhimit
shumëqëllimor të pyjeve, që balancon ruajtjen e pyjeve me shfrytëzimin e qëndrueshëm të
tyre. Programi gjithashtu mundësoi funksionalizimin e Sistemit Informativ Pyjor të Kosovës si
një platformë digjitale e integruar për vendimmarrje transparente dhe monitorim të burimeve,
si dhe kontribuoi në ciklin e tretë të Inventarit Kombëtar të Pyjeve.
Ngritja e kapaciteteve ishte një shtyllë qendrore e programit. Mbi 500 individë, përfshirë
zyrtarë të institucioneve qeveritare, përfaqësues të sektorit privat dhe komuniteteve lokale, u
trajnuan për zbatimin e praktikave moderne të pylltarisë, mbrojtjen dhe restaurimin e pyjeve,
parandalimin e zjarreve dhe luftimin e aktiviteteve ilegale. Qendra e rinovuar për Ngritjen e
Kapaciteteve Pyjore në Blinajë tashmë shërben si një qendër e përhershme për shkëmbim
njohurish dhe zhvillim profesional në sektorin pyjor të Kosovës.
Në kuadër të promovimit të barazisë gjinore në pylltari, programi zhvilloi një kurrikulë
transformuese gjinore, duke pajisur profesionistët me mjete praktike për integrimin e
perspektivës gjinore në politika, programe dhe trajnime. Iniciativat e vetëdijësimit të publikut,
përfshirë Kampet Pyjore dhe aktivitetet për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve, për çdo
vit angazhuan me sukses shumë nxënës, pjesëtarë të komuniteteve lokale, përfaqësues të
mediave dhe partnerë institucionalë, për të theksuar dhe promovuar rëndësinë e pyjeve për
mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetin dhe zhvillimin rural në Kosovë.
Programi u përmbyll me një ceremoni festive në Prishtinë, ku u mblodhën partnerët kryesorë,
donatorët dhe palët e interesit që ishin pjesë e zbatimit të programit.
Daniela Mangione, Koordinatore e Programit dhe Bartëse e Buxhetit në FAO, përshëndeti të
pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për institucionet e Kosovës, donatorët, partnerët, si dhe
ekipin e FAO-s, të cilët mundësuan zbatimin e suksesshëm dhe arritjet e programit përgjatë
pesë viteve,
tha Mangione.
Gjatë kësaj ceremonie, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Suedisë, MBPZhR-së,
Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe FAO-s reflektuan mbi rezultatet e arritura dhe theksuan
rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.
“Përmes këtij programi, rëndësia e pyjeve u shndërrua në veprime konkrete, duke filluar nga
planet e reja të menaxhimit të pyjeve, zhvillimin e zinxhirit të vlerës së produkteve jodrusore,
përmirësimin e legjislacionit, programet e trajnimit dhe pajisjet për aspekte operacionale.
Themelet tashmë janë vendosur dhe investimi i vazhdueshëm në resurse njerëzore dhe
infrastrukturë është thelbësor për të ndërtuar mbi këto rezultate”, tha Eva Palatova, Shefe në
Detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë theksoi se programi u fokusua në forcimin e institucioneve dhe
qeverisjes së pyjeve, duke mbështetur praktika moderne të pylltarisë që shndërrojnë politikat
në zbatim praktik. Ai nënvizoi arritje kyçe, përfshirë hartimin e ligjit të ri për pyjet dhe
legjislacionit dytësor, trajnimin e stafit të APK-së për çështje ligjore pyjore, rishikimin dhe
vendosjen e Sistemit Informativ për Pyjet e Kosovës në Qendrën Shtetërore të të Dhënave,
finalizimin e planeve për menaxhimin shumëqëllimor të pyjeve për katër njësi pilot, si dhe
funksionalizimin e Qendrës Trajnuese në Blinajë dhe organizimin e Kampeve Pyjore, e shumë të
tjera.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, falënderoi
donatorët dhe FAO-n për mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të sektorit pyjor në
Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për menaxhim të qëndrueshëm dhe të
përgjegjshëm të pyjeve.
“Agjencia Pyjore e Kosovës është pajisur me mjete dhe teknologji moderne për mbrojtjen dhe
monitorimin e pyjeve, përfshirë automjete terreni, dronë dhe pajisje GPS, duke forcuar
ndjeshëm kapacitetet e monitorimit në terren, sigurisë dhe reagimit. Po ashtu, janë themeluar
gjashtë njësi pilot emergjente për menaxhim të integruar të zjarreve pyjore në mbarë Kosovën,
duke përmirësuar gatishmërinë dhe koordinimin ndërinstitucional”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së Shefit Ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra, theksoi se
programi ka sjellë përmirësime konkrete në nivel operacional, përfshirë pajisje moderne,
automjete, dronë dhe trajnime të specializuara për stafin profesional.
Ndërkaq, Ekrem Yazici, Zyrtar Kryesor Teknik në FAO REU, falënderoi të gjithë partnerët dhe
theksoi rëndësinë e integrimit të pylltarisë me sektorë të tjerë zhvillimorë, duke thënë:
“Sot shënojmë përmbylljen e një intervenimi pesëvjeçar që ka hedhur themelet për menaxhim
të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve në Kosovë. Kjo ceremoni është një mundësi për
të reflektuar mbi arritjet e programit, ndikimin e tij afatgjatë dhe trashëgiminë që lë për
sektorin pyjor, komunitetet dhe institucionet.”
Ceremonia u përmbyll me një ekspozitë të fotografive dhe të ngjarjeve, përmes së cilave u
prezantuan rezultatet kryesore të arritura me mbështetjen e programit.






