Agjencia Pyjore e Kosovës

Përurohet Qendra për Ngritjen e Kapaciteteve në Pylltari me mbështetjen e BE-së dhe Suedisë

Blinajë, 19 Nëntor 2025 – Qendra për Ngritjen e Kapaciteteve në Pylltari në Blinajë u përurua sot zyrtarisht, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë. Kjo qendër do të shërbejë si vend për ngritje të kapaciteteve dhe rritje të njohurive, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive teknike në […]

Shpërndaje në:

Blinajë, 19 Nëntor 2025 – Qendra për Ngritjen e Kapaciteteve në Pylltari në Blinajë u përurua sot zyrtarisht, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë. Kjo qendër do të shërbejë si vend për ngritje të kapaciteteve dhe rritje të njohurive, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive teknike në planifikimin dhe monitorimin e shfrytëzimit të pyjeve, menaxhimin e integruar të zjarreve pyjore, digjitalizimin e informacioneve dhe të dhënave pyjore, si dhe në shumë tema të tjera të rëndësishme për menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve pyjore.

Qendra është rinovuar në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

Gjatë ceremonisë, tetë automjete tereni dhe një kontingjent i dytë i pajisjeve digjitale të punës – përfshirë Geo Vertex, matës diametri, kompas si dhe mjete për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në pyje – iu dorëzuan zyrtarisht Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK). Këto investime, të financuara nga BE-ja dhe Ambasada e Suedisë, do të fuqizojnë më tej kapacitetet operative dhe teknike të APK-së, duke mundësuar krijimin e kushteve më të favorshme dhe rritjen e efikasitetit në përpjekjet për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në të gjithë Kosovën.

Në këtë ceremoni morën pjesë zyrtarë nga Bashkimi Evropian në Kosovë, Ambasada e Suedisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Agjencia e Pyjeve të Kosovës, FAO, si dhe përfaqësues të mediave dhe të ftuar specialë.

Lazar Raduloviq, zv. ministër në MBPZHR, shprehu mirënjohjen ndaj donatorëve dhe FAO-së për këtë donacion, duke riafirmuar përkushtimin e MBPZHR-së për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të pylltarisë.
“Dua të riafirmoj se MBPZHR mbetet i përkushtuar ndaj zhvillimit të sektorit të pylltarisë, në mënyrë që ajo që po marrim sot të na mbështesë në shumë aspekte – veçanërisht për forcimin e kapaciteteve, për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve dhe luftimin e shfrytëzimit të paligjshëm. Me këto mjete, Agjencia e Pyjeve të Kosovës do të jetë shumë më efikase në përmbushjen e detyrave profesionale dhe zbatimin e ligjit në sektorin e pyjeve”, tha Raduloviq.

Lazar Raduloviq, zv. ministër në MBPZHR

Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Bashkimin Evropian në Kosovë, deklaroi: “Pyjet janë një nga pasuritë më të rëndësishme të Kosovës. Me këtë Qendër të re dhe pajisjet që po dorëzojmë sot, ne investojmë jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në njerëzit që mbrojnë këto peizazhe për brezat që do të vijnë.”

Hubert Perr, shef i bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë

Henrik Riby, Zëvendës Shef i Misionit / Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim – Ambasada e Suedisë në Prishtinë, theksoi: “Ligji i ri për pyjet dhe politikat e përditësuara janë hapa të rëndësishëm, por sfidat mbeten, duke përfshirë prerjen ilegale dhe zbatimin e kufizuar. Së bashku me BE-në, kemi investuar 2.5 milion euro përmes programit të FAO-së për të mbështetur reforma, trajnime, inventarizime pyjore dhe pajisje”. Sipas tij, këto burime krijojnë një bazë të fortë për pyjet e Kosovës, por kërkohet më shumë përkushtim politik, financim i qëndrueshëm dhe angazhim aktiv i shoqërisë civile.

Henrik Riby, shef i bashkëpunimit për zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Kosovë

Menderes Ibra, Drejtor i Departamentit për Menaxhim me Pyje në APK, po ashtu shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për donatorët. “Përmes këtij programi kemi pranuar pajisje të lloj-llojshme dhe të dobishme, të cilat përmirësojnë shkathtësitë e stafit dhe rrisin efikasitetin gjatë punës në terren. Agjencia është organi ekzekutiv dhe ka përgjegjësinë për mbrojtjen, ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve. Ngritja e kapaciteteve është shumë e rëndësishme dhe prioritet në punën tonë,” tha Ibra.

Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Pyjeve në APK, Menderes Ibra

Naser Krasniqi, Udhëheqës vendor në FAO, deklaroi se vlera totale e pajisjeve në këtë kontingjent është rreth 300,000 euro, dhe se pjesa më e madhe e financimit është siguruar nga Bashkimi Evropian.
“FAO ka organizuar trajnime me njësitë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe ka certifikuar trajnerët dhe udhëheqësit për të vazhduar sesionet e rregullta të zhvillimit të kapaciteteve mbi menaxhimin e integruar të zjarreve në pyje. Programi ka identifikuar gjithashtu disa vullnetarë në komunitet, të cilët po trajnohen për të mbështetur parandalimin dhe shuarjen e zjarreve dhe përdorimin e pajisjeve në bashkëpunim me njësitë e APK-së,” tha Krasniqi.

Naser Krasniqi, udhëheqës i ekipit vendor të programit të pylltarisë nga FAO

Qendra e Blinajës për Zhvillimin e Kapaciteteve do të vazhdojë të shërbejë si platformë për trajnime, bashkëpunim dhe inovacion, duke mbështetur profesionistët e pylltarisë dhe komunitetet lokale në ruajtjen e pyjeve të Kosovës dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural.