Batllavë, 6 Mars 2025
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë zyrtarisht në shfrytëzim një sipërfaqe prej 100 hektarësh në rajonin e Batllavës, në komunën e Podujevës. Ky pranim-dorëzim është realizuar në bashkëpunim mes dy komisioneve respektive të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK).
Ky hap vjen në vijim të vendimit të Qeverisë së Kosovës, të miratuar më 31 janar 2025 në mbledhjen e saj të 247-të, për dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave për nevojat strategjike të FSK-së. Kjo zonë ka qenë më parë pjesë e një prone shoqërore të administruar nga APK . Transferimi i këtyre pronave është pjesë e një procesi të vazhdueshëm për forcimin e kapaciteteve operacionale dhe infrastrukturës së FSK-së. Përmes kësaj prone, pritet të krijohen kushte më të mira për ushtrime, trajnime dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, duke siguruar një mjedis më të përshtatshëm për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.