Agjencia Pyjore e Kosovës, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve të Shqipërisë, ka marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme që shënoi hapjen e projektit "Krijimi i një modeli menaxhimi për luftimin e dëmtuesit të procesionares së pishës", financuar nga Italian-Albanian Debt for Development Swap Programme (IADSA).
Në këtë event, i cili u organizua me pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm nga institucione pyjore, fonacione, shoqata mjedisore dhe ekspertë të fushës, Agjencia Pyjore e Kosovës ishte përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Z. Fidan Dema, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve për të adresuar sfidat që paraqet dëmtuesi i procesionares së pishës dhe për të krijuar modele të qëndrueshme menaxhimi.
Pjesëmarrësit e tjerë përfshinë Z. Artur Kala, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve të Shqipërisë, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e projekteve të tilla për përmirësimin e gjendjes së pyjeve dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore, dhe Z. Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të arsimit të lartë për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike.
Eventi u fokusua në disa tema të rëndësishme, përfshirë sfidat e shëndetit të pyjeve në kushtet e ndryshimeve klimatike, hartimin e një modeli menaxhimi për luftimin e dëmtuesit të procesionares dhe masat e kontrollit për të parandaluar përhapjen e këtij dëmtuesi të rrezikshëm.
Aktivitetet kryesore të projektit përfshijnë hartimin e protokolleve operacionale për kontrollin e procesionares, fuqizimin e laboratorëve për riprodhimin e insektit Calosoma sycophanta dhe trajnimin e stafit të shërbimit pyjor në bashkitë e prekura.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ofron një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e kapaciteteve për menaxhimin e pyjeve dhe mbrojtjen e biodiversitetit në të dy shtetet.